English Danish Finnish French German Italian Norwegian Swedish
Na ndiqni në Facebook

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

250px-Logo 100_vjet-pavaresi

Hyrje në portal

Enter Amount:

Dhuroni ndihmë Institutit Alb-Shkenca duke shfrytëzuar sistemin e sigurt PayPal.
30
Jan
2011
Ora po troket për rizgjimin e ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare dhe rilindjen e shqiptarisë PDF Shtyp Shpërndaje me e-post
Shkruar nga Administrator   
AddThis Social Bookmark Button

Këta “Haxhi Qamilë modernë" po e mbajnë sot peng progresin e shoqërisë shqiptare – 20 vjet deri tani në tranzicionin që duket pa fund, ata janë bërë pengesa e proçesit të integrimit Evropian.  Me fjalët, sjelljen dhe veprat e tyre – nënkupto thirrjen “Duam Babën”, këta “Haxhi Qamilë modernë" po e pengojnë shkëputjen e shoqërisë shqiptare nga perandoria ruso-serbo-komuniste.

“Gëlltit dikur një lugë çorbë te prishur dhe pastaj e vjell për tërë jetën.”  Ishte kjo një nga linjat e konfliktit në një nga “krijimet artistike” të periudhës së realizmit socialist.  Sigurisht, në “krijim” konflikti ishte midis “të mirëve” – guerrilas/komunistë dhe “të këqijve” – shërbëtorë të italianëve/gjermanëve/fashistëve/nazistëve.  Ndërkaq, për ata që e kuptonin realtitetin e kohës së realizmit socialist, konlikti ishte edhe më real.  Për këtë grup konflikti ishte midis ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare dhe sigurimsave/komunistëve – pasardhës të guerrilasve/komunistë.

Është fakt tashmë historik, se me ardhjen në fuqi një nga objektivat primare të regjimit komunist ishte shkatërrimi dhe eleminimi i ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare.  Me vrasje, pushkatime, burgime, internime, çpronësime, etj. regjimi eleminoi jo vetëm kundërshtarët e tij politikë por edhe inteligjencën e atëhershme të shoqërisë shqiptare, patriotë, nacionalistë, mësues, shkencëtarë, ekonomistë, juristë, tregtarë e sipërmarrës, etj. duke mos përjashtuar edhe klerin shqiptar.  Me fjalë të tjera, regjimi komunist që në vitet e para të ekzistencës së tij i dha goditjen më të rëndë ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare që nga koha e rilindjes së saj në fillimet e shekullit të 20-të, pas pothuaj pesë shekuj gjumë.
Më pas, nëpërmjet “luftës së klasave” regjimi zbatoi me egërsi dhe forcë të paparë një luftë të vazhdueshme ndaj ndërgjegjes për të mos lejuar në asnjë mënyrë “zgjimin” dhe “ngritjen e kryes”.  Në të njëjtën kohë, nga ana tjetër, regjimi nëpërmjet një fushate të gjithanshme propagandistike në shkolla, qendra pune, media dhe deri në familje u përpoq të krijonte “njeriun e ri” – nënkupto një “njeri” ndërgjegjja e të cilit është infektuar/helmuar nga “çorba e prishur” komuniste.

Rezultati i përbashkët i luftës së klasave dhe fushatës për krijimin e “njeriut të ri” ishte një shoqëri me ndërgjegje të mundur, të strukur e në heshtje, qëllimi primar i së cilës u bë mbijetesa dhe rezistenca e heshtur ndaj infektimit prej “çorbës së prishur komuniste.”  Në këtë gjendje e gjeti shoqërinë shqiptare edhe periudha e rrëzimit të regjimeve komuniste në shumë ish-vende të tilla.  Në ato momente të ndërrimit të sistemeve duke mos ditur se si do të reagonte ajo pjesë e mbetur e ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare apo edhe sa forcë i kishte mbetur kësaj ndërgjegjeje, gatuesit e “çorbës komuniste”, shpërndarësit e kësaj çorbe si dhe të infektuarit prej saj u përpoqën të paraqiteshin “të ndryshuar” apo “të penduar”.  Mënyra më e mirë për t’u shfaqur të tillë ishte goditja e kreut të regjimit, “Babës” diktatorit vetë!  Filluan të paraqiteshin shkrime mbi diktatorin që vetëm muaj më parë as nuk mund të imagjinoheshin.  Kjo nisi një garë, e cila vazhdon akoma edhe sot, midis të infektuarve prej “çorbës” dhe gatuesve të “çorbës” se kush do të “hiqej më katolik se Papa” (të hiqej më antienverist se antienveristët e vërtetë).  Ashtu si minjtë mundohen të braktisin anijen që po mbytet ashtu e braktisën edhe ata (disa brenda natës) “Babën” e tyre shpirtëror.  Sigurisht, duke e drejtuar objektivin drejt dikujt që nuk ekzistonte më dhe duke fajësuar diktatorin për çdo gjë, çfajësoheshin vetë ata dhe largohej objektivi prej tyre.


Në të njëtjën kohë, “sulmi” ndaj diktatorit ishte edhe një përpjekje e koordinuar mirë për të imituar “zgjimin” e ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare.  Ndërkaq zërat e ndërgjegjes së vërtetë ishin të pakët e të paorganizuar.  Në fakt kishte prej tyre që mendonin se akoma nuk kishte ardhur koha për të folur.  Si rezultat, në Shqipërinë e 1990-s nuk ndodhi një fenomen i ngjashëm me atë që ndodhi në Gjermaninë e 1945-s.  Me futjen e aleatëve perëndimorë në Gjermani, qytetarët gjermanë në zonat nën mbikqyrjen e amerikanëve u detyruan të vizitonin kampet e përqëndrimit për të parë me sytë e tyre mizoritë e nazistëve, trupat kockë e lëkurë të të internuarve akoma të gjallë si dhe skeletet kapicë të të vdekurve të pavarrosur, ndërsa zyrtarë të partisë naziste u detyruan t’i varrosnin këto skelete të të vdekurve.   Këto zhvillime mundësuan edhe “rizgjimin” e ndërgjegjes së shoqërisë gjermane si dhe serinë e gjyqeve të Nuremburgut për dënimin e funksionarëve të lartë të regjimit nazist, kryesisht politikanë dhe ushtarakë. 

Një fenomen i tillë nuk ndodhi në shoqërinë shqiptare të 1990-s, në fakt nuk ka ndodhur akoma.  Gjithashtu, nuk ka patur akoma në shoqërinë shqiptare, siç pati në shoqërinë gjermane, raste ku ndërgjegjja fiton “luftën” kundër “çorbës së prishur” përbrenda individit, dhe më së fundi i çliruar/shëruar ky individ e shpall këtë edhe publikisht.  Mungesa e të tillëve individë pasqyron burracakërinë e tyre, mungesën e kurajos e të guximit, vlerat e ulta morale si dhe mungesën e shpresës për rikthimin e ndërgjegjes së tyre.  Por problemi në rastin e shoqërisë shqiptare nuk është vetëm shërimi i këtyre individëve.  Përkundrazi, problemi është se këta individë, burim i “çorbës së prishur” apo të infektuar tërësisht prej saj përbëjnë sot klasën e saj politike, elitën “udhëheqëse” të shoqërisë.  Këta individë/grupe/klane kanë pushtetin politik, ekonomik e mediatik dhe me sjelljen e tyre publike të mbushur me korrupsion jo vetëm ekonomik por edhe moral, agresion e dhunë, me fjalor që ju shkon vetëm kriminelëve banalë, me një injorancë e papërgjegjësi të plotë lidhur me problemet me të cilat përballen shqiptarët, me mungesë të kulturës demokratike e vizionit largpamës e udhëheqës, nuk bëjnë gjë tjetër por infektojnë të gjithë shoqërinë me të njëjtën “çorbë” që ata gatuajnë dhe konsumojnë.  P.sh. shoqëria civile është kthyer thjesht në një shtojcë të klasës politike (të të dyja anëve) në shpërblim të vendeve të rehatshme të punës dhe rrogave të majme.  Gjithashtu, mendimi i pavarur intelektual pothuajse nuk ekziston, mjafton të shihen shkrimet dhe diskutimet mbi pacipëritë e klasës politike.  Ashtu si edhe klasa politike, intelektualët pozicionohen në dy kampe “armike” duke përsëritur dhe mbështetur argumentat e të preferuarve të tyre politikë.  Të njëjtën gjë dëshmoi edhe pacipëria e fundit, çështja të prishet apo jo piramida (arsyeja që nxiti edhe këtë shkrim).  Me pak përjashtime, shkrimet dhe diskutimet mbi këtë çështje merreshin me fasadën e problemit dhe jo me thelbin e tij.  Për shoqërinë shqiptare problemi nuk është të prishet apo jo piramida – kjo është vetëm fasada e problemit.  Thelbi i problemit është ç’rrënjosja e pushtetit, mënyrës së mendimit dhe veprimit, dhe krejt ideologjisë ruso-serbo-komuniste; problemi është pra shërimi i shoqërisë shqiptare nga infektimi prej “çorbës së prishur ruso-serbo-komuniste”. 

Pasojë e sa më sipër është që mësimet dhe shtysat për brezin e ri janë rendja pas një “jete të lehtë” qoftë kjo nëpërmjet blerjes së një diploma apo mënyra të tjera joligjore.  Pra, infektimi pasohet nga brezi në brez.  Për ata që duan të bëjnë gjënë e drejtë mundësitë janë të pakta dhe jeta e vështirë.  Si rrjedhojë, me mundësinë e parë që u krijohet për t’u larguar ata bëjnë pikërisht këtë.  Rezultati është largimi jo vetëm i trurit por edhe ndërgjegjes së painfektuar.  Për të gjitha këto arsye “rizgjimi” i ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare nuk ka ndodhur akoma. 

Në të kundërt, dhe duke parë edhe dobësinë e ndërgjegjes, ajo që po ndodh është riaktivizimi i gjithanshëm dhe kthimi me forcë të plotë, pas një strukje fillestare i të gjithë “minjve” të infektuar, të cilët në fillimet e 1990-s u sulën të braktisnin anijen që po mbytej.  Shumë nga këta të infektuar duke pësuar një transformim të tipit “brenda natës” na dalin tani si artistë e krijues, historianë (edhe kur objekti është sulmi i figurave të shquara kombëtare) e shkencëtarë, analistë e çfarëdo tjetër të duan.  Të organizuar sërish në organizata të cfarëdolloji me qëllim ngritjen në qiell dhe reklamimin e “arritjeve” te tyre (mediokre), risjellin kujtimet e tyre nga periudha “e lavdishme e realizmit socialist”, për gazetën më “të suksesshme” (ZP!?), “për “shokët e heshtur” që kanë humbur, bëjnë “analiza” të situatës ndërkombëtare edhe pse nuk i pyet dikush (si për forcë të zakonit), apo thjesht nuk munden të rrinë pa e shfaqur mllefin e tyre kundër besimeve fetare (të të gjitha llojeve).  Në këtë fushatë rikthimi vend gjithnjë e më të dukshëm zënë gjithashtu edhe të mbeturit e gardës së vjetër të “çorbë-gatuesve”, të cilët në vend që të kërkonin falje për infektimin e shoqërisë shqiptare për më shumë se katër dekada, me zell të tepruar (por edhe për shkak të ofrimit gjithnjë e më shumë të mundësisë) vazhdojnë ta përhapin këtë infektim.  Për më tepër, çudia (që në fakt nuk është edhe aq për t’u çuditur) arrin kulmin kur këta kërkojnë edhe rehabilitimin e “krye-gatuesit” të çorbës së prishur, “Babës” vetë!

Gjendja e sotme e shoqërisë shqiptare është e ngjashme me gjendejn e shoqërisë shqiptare në periudhën që përfshin vitet e fundit të pushtimit osman dhe dekadat e para të pavarësisë.  Në atë kohë Rilindasit e kuptuan rëndësinë e “zgjimit” të ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare - duke evokuar të shkuarën e lavdishme – për shkëputjen e Shqipërisë nga perandoria që po perëndonte dhe rikthimin e saj aty ku i takonte, në familjen Evropiane.  Forcat regresiste brenda shoqërisë shqiptare të asaj kohe, të personifikuara me Haxhi Qamilin dhe thirrjen famëkeqe “Duam Babën”, u përpoqën të ç’bënin susksesin e Rilindasve.  Historia është tashmë dëshmitare se këto përpjekje dështuan më turp dhe përbëjnë sot një nga njollat e zeza në historinë kombëtare.

Në shoqërinë shqiptare të ditëve të sotme “Haxhi Qamilët modernë” janë klasa e sotme politike, elita (jo)udhëheqëse.  Këta “Haxhi Qamilë modernë" po e mbajnë sot peng progresin e shoqërisë shqiptare – 20 vjet deri tani në tranzicionin që duket pa fund, ata janë bërë pengesa e proçesit të integrimit Evropian.  Me fjalët, sjelljen dhe veprat e tyre – nënkupto thirrjen “Duam Babën”, këta “Haxhi Qamilë modernë" po e pengojnë shkëputjen e shoqërisë shqiptare nga perandoria ruso-serbo-komuniste.

Ndërkaq shoqërisë së sotme shqiptare i mungojnë (ose janë të heshtur) “Rilindasit modernë".  Me fjalë të tjera, zërat e ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare janë akoma të pakët e në përgjithësi të dobët.  Pa dyshim zëri më i fuqishëm i ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare deri tani është zëri i At Zef Pllumit me librin “Rrno vetëm për me tregue”.  Megjithëse, shumë i fuqishëm, i vetëm zëri i At Zef Pllumit nuk është i mjaftueshëm.  Shumë më tepër duhet bërë për të zgjuar fuqishëm ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare për t’iu kundërvënë infektimit prej “çorbës së prishur komuniste”.  Në SHBA, në çdo fillim viti individët zakonisht zotohen për të ndryshuar diçka në jetën e tyre personale, familjare apo më gjerë, me të cilën nuk janë të kënaqur, si p.sh. mbipesha, marrja me ushtrime, shpenzimi më shumë kohë me familjen e shoqërinë, përfshirja në çështjet e komunitetit, etj .  Në këtë fillim viti të dekadës së tretë të “tranzicionit” shqiptar, për ata qytetarë që duan progresin e tyre personal, familjar dhe të gjithë shoqërisë shqiptare, që duan që ëndrrën Evropiane ta shohin realitet për veten dhe sidomos për fëmijët e tyre, është e një rëndësie primare të zotohen që nuk do të pranojnë më përhapjen e infektimit prej “çorbës komuniste” dhe madje do t’i kundërvihen atij. 

Shembuj të këtyre zotimeve janë p.sh.

  • nuk do të marr pjesë në mitingjet e organizuara nga anjëra prej forcave politike aktuale;
  • nuk do të pranoj më fjalorin e ulët dhe sjelljet agresive të “elitës” klimën e nxehtë (artificialisht dhe për arsye të gabuara) politike, por do t’u kërkoj kulturë e punë për rezultate;
  • nuk do të pres më të më organizojnë partitë, por do të organizohem vetë me pjestarët e komunitetit për problemet tona;
  • nuk do të pres më zgjidhje të problemeve nga elita, por do të kërkojmë të vetëorganizuar që ata të zgjidhin problemet që më shqetësojnë mua dhe komunitetin;
  • nuk do të pranoj të dëgjoj më përrallat lidhur me bëmat e “udhëheqësit” dhe “partisë mëmë” por do të kërkoj informim e llogaridhënie për krimet e tyre të të kaluarës dhe të sotmes ndaj shoqërisë dhe kombit;
  • nuk do të pranoj më “krijimet” (filmat, etj.) e periudhës së realizmit socialist që e paraqesin të shtrembëruar atë përiudhë, por do të kërkoj një pasqyrim real e transparent të asaj periudhe; do të kërkoj që kjo histori të paraqitet realisht në libra (edhe ato shkollorë), media, muzeume, etj.; do të kërkoj respektimin e heronjve të dënuar nga diktatura dhe zbardhjen e përgjegjësisë dhe nxjerrjen e përgjegjësve;
  • … ju shtoni zotimin tuaj në këtë listë.

Si përfundim, ora për rizgjimin e ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare ka kohë që po troket.  Kushdo që mund të kontribuojë për këtë nuk ka ç’të presë më.  Vetëm kështu do t’i ndërpritet rruga infektimit të mëtejshëm dhe fillojë shërimi!  Vetëm kështu do të Rilindë për herë të dytë shqiptaria!  Vetëm kështu do të marrë fund tranzicioni!  Vetëm kështu do të arrijmë të integrohemi realisht në Evropë të transformuar ekonomikisht e politikisht por duke bartur trashëgiminë tonë e duke hedhur tutje “çorbën e prishur” antishqiptare!

A. Harri

Last Updated on Sunday, 30 January 2011 21:40
 

Komentoni artikullin


Kodi i sigurisë
Rifreskoni