English Danish Finnish French German Italian Norwegian Swedish
Na ndiqni në Facebook

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player

Hyrje në portal

07
Mar
2015
Instituti Alb-Shkenca organizon takimin e 10-të Vjetor Ndërkombëtar PDF Shtyp Shpërndaje me e-post
Shkruar nga Administrator   
AddThis Social Bookmark Button


Instituti Alb-Shkenca

Në bashkëpunim me:
Universitetin e Europës Juglindore
Universitetin Shtetëror të Tetovës
Institutin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare

dhe me përkrahje të:

Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Maqedonisë
Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë
Komunës Çair të Shkupit


O R G A N I Z O N

Takimin e 10-të Vjetor Ndërkombëtar

Shkup, 28 – 30 gusht 2015

Tema bosht e Takimit është:


BASHKËPUNIMI SHKENCOR MBARËKOMBËTAR NË FUNKSION
TË PËRPARIMIT E TË MIRËKUPTIMIT NDËRKOMBËTAR


Ftohen anëtarët e Institutit Alb-Shkenca dhe studiuesit e tjerë nga strukturat akademike të marrin pjesë në këtë tubim të madh shkencor dhe në të t’i kumtojnë arritjet e tyre më të reja në fushat përkatëse të kërkimit e të ekspertizës.

Kumtesat dhe i gjithë komunikimi gjatë Takimit të 10-të Ndërkombëtar do tëzhvillohen në gjuhën shqipe dhe angleze.

Datat me rëndësi:

  • Regjistrimi i përmbledhjeve/abstrakteve bëhet vetëm nëpërmjet sistemit ALPA.
  • Dërgimi i titullit dhe i përmbledhjes: deri më 17 prill 2015 15 maj 2015
  • Shpallja e përmbledhjeve të miratuara: deri më 18 maj 2015 15 qershor 2015

Për informacione të përditësuara të interesuarit të kontrollojnë faqen e Takimit në internet (http://iash-takimet.org/tv2015/home/);

Pagesa e pjesëmarrjes në Takimin X: deri më 15 korrik 2015

  • për anëtarët e IASH-së 20 euro,
  • për pjesëmarrësit e tjerët 60 euro,
  • për studentët (master dhe doktoratë) 10 euro

Regjistrimi për çdo pjesëmarrës (on desk)

Pas datës 15 korrik 2015:

  • për anëtarët e IASH-së 50 euro,
  • për pjesëmarrësit e tjerët 100 euro.

Pagesa duhet të bëhet në llogarinë e Institutit Alb-Shkenca në Tiranë (BKT)

Adresat Bankare:
BKT - Tiranë për Institutin Alb – Shkenca
Nr. llogarisë: 507360001
IBAN: AL8420511571360001CLTJCFEURA
SWIFT: NCBAALTX

Për pjesëmarrësit nga Kosova:
Banka Kombëtare Tregtare Kosovë
Nr. i llogarisë: 1901378968031154(IBAN)

Për pjesëmarrësit nga Maqedonia:
Procredit Banka – Shkup_Alb – Shkenca
Nr. i llogarisë: 380 – 1 – 261336 – 001 – 34 (në denarë)
IBAN: / MK07380126133601298 (në valute të huaj)

Adresa e komunikimit: takimi2015@alb-shkenca.org

Koha e mbajtjes së Takimit të 10-të:
E premte 28 gusht: seance plenare
E shtunë 29 gusht: dita e parë
E diel 30 gusht: dita e dytë

Konferencat shkencore:

  • Konferenca e Seksionit të Shkencave të Filologjisë, Historisë dhe Kulturës
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave të Drejtësisë
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave të Bujqësisë
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave të Mjedisit
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave të Ekonomisë
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave të Natyrës
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave të Mjekësisë
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave Inxhinierike dhe të Teknologjisë së Informacionit
  • Konferenca e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Politike
  • Konferenca ndërdisiplinore: Terminologjia profesionale si veprimtari ndërdisiplinore

Për informacione të përditësuara të interesuarit të kontrollojnë faqen në internet e Takimit (http://iash-takimet.org/tv2015/home/);

Këshilli Organizues:

Kryetarë:

  • Gentian Zyberi, Norvegji
  • Zeqirja Neziri, Maqedoni

Nënkryetarë:

  • Ali Caka, Kosovë
  • Bashkim Ziberi, Maqedoni
  • Behixhudin Shehapi, Maqedoni
  • Eshref Januzaj, Gjermani
  • Fatos Ylli, Shqipëri
  • Kristaq Jorgo, Shqipëri
  • Mentor Hamiti, Maqedoni
  • Musa Rizaj, Kosovë
  • Mustafa Ibrahimi, Maqedoni
  • Nikolla P. Qafoku, SHBA
  • Ardian Maçi, Shqipëri
  • Shpresa Hoxha, Kosovë

Anëtarë nderi:

  • Emil Lafe, Shqipëri
  • Jahja Kokaj, Kuvajt
  • Sami Repishti, SHBA
Last Updated on Wednesday, 08 April 2015 09:22
 
23
Feb
2015
Dosjet! Per cilin bien kumbonet? PDF Shtyp Shpërndaje me e-post
Shkruar nga Administrator   
AddThis Social Bookmark Button

Sami Repishti

Ridgefield,CT.USA.- Nga leximet ne shtypin shqiptar vrehet nji rritje e interesimit publik per “dosjet”, zbulimin e “sekreteve”, dhe “lustracionin”, eliminimin- jo fizik!- te individeve qe per bindje, jo me detyrim, jane “komprometue” rande ne akte kriminale  te “diktatures se proletariatit” 45 vjeçare ne Shqiperi.
   Ky interesim per zbulimin e se vertetes te mshehun per dekada te gjata duhet çmue, dhe inkurajue. E verteta duhet te zbulohet. Ajo bien drite! Drita gjalleron, largon erresinen ku mshehet e keqja, zhvillohet tortura, dhe mbretnon vdekja.
    Ajo qe ashte shqetesuese ne kete situate ashte “qellimi” i kerkeses per hapje dosjesh. Te gjithe e dime se çfare “misteri” permbajne dosjet e ish Sigurimit te Shtetit, ose te ish Partise Komuniste te Shqiperise, (dhe PPSH-se) Te gjithe jemi te ndergjegjshem per spiunazhin, arrestimet, burgosjet, torturat dhe ekzekutimet e vuejtjet ne burgje e kampet e debimit komuniste qe “dekoruen” peisazhin e vendit tone, ne moçalishte e miniera, e ne çdo sektor pune te rande dhe te rrezikeshme. Te gjithe jemi te informuem  per kampet e debimit per dhjetra mijera familjare te prindeve “reaksionare” te detyrueme me vegjetue atje, qe nga ditet e para te vendosjes se regjimit komunist,1944,  deri ne ramjen e turpeshme te pushtetit te urise dhe terrorit, ne 1991.  Katerdhjete e pese vjet te gjata dhe pa nderpremje…. sikur te kishin gjuejte Zotin me gure!.... per fajin e vetem sepse gjyshi, babaj, vellau ose kusherini kane qene “armiq te popullit”. Groteske! Koncepti i “individit”,“persona” pergjegjes i vetem per fajin e kryem, nuk ekziston ne diktature.
    Sot, te gjithe kerkojme me dite ma shume mbi “vuejtjet” dhe sidomos mbi “persekutuesin” qe vrau me gjyq e pa gjyq, qe torturoi deri ne çmendje, sidomos te rinjte “rebele”, qe denoi me uri e jetese ne baltat e Myzeqese pleq, gra e femije per dekada te gjata e per nji “qellim” te vetem: mbajtjen me dhune te “pushtetit popullor”, qe gjithçka mund te ishte por jo i nji populli te pa fajshem dhe te reduktuem ne nji mase pa mbrojtje, e te skllavrueme..  Ne pamundesi me fitue me arsye, ose me fitue zemrat e popullsise, komunizmi erdhi ne fuqi me dhune, u mbajt me dhune dhe u permbys me turp nga nji popullsi e dhunueme. Plaga e rande e se kaluemes kerkon sherim me kujdes te madh, “hic et nunc”.
      Kerkesa per “hapjen e dosjeve” (1944-1991) ashte nji çeshtje me randesi te jashtezakonshme per vete natyren e saj, si dhe per rrjedhimet e paevitueshme. “Kerkesa”  nuk mund te jete me plotesue “kuriozitetin” e lexuesve qe kenaqen me intrigat e Sherlock Holmes-it. Nji kuriozitet i ketill ashte banal, dhe nji fyemje e rande per viktimet. “Kerkesa” duhet te kete karakterin solemn te çlirimit nga ankthi i se kaluemes, te zbulimit te vertetes, dhe qellimin mbarenjerezor me evitue perseritjen e nji gjenocidi te ri ne vendin tone, perseritje qe do te ishte nji vetevrasje kombetare. Kerkesa duhet te synoje aspektin praktik te denimit te “fajit” dhe te denoncimit te “fajtorit” tue pamundsue veprimtarine e tij helmuese ne shoqenine tone te traumatizueme. Senatori amerikan, Herbert Pell, deklaronte ne 1945:”…ne se duem me evitue nji masaker te pergjitheshme, duhet te plotesojme kerkesen popullore per drejtesi”. 
    Nji qendrim i ketill  ashte realizue sidomos me sjelljen e ish-te persekutuemeve qe ne vitin 1991; ata nuk u versulen me thika e sopata me vra e coptue…kriminelet komuniste. Tue kontrollue zemrimin plotesisht te justifikuem, ata mbeshteten kerkesen e tyne ne drejtesine e njohun nga ligji. Megjithese mbeten thellesisht te shgenjyem nga nji autoritet shtetnor i shurdhet – baza morale e te cilit ishin ata vete!- ata jetuen per 24 vjet ma rradhe me shpresen se do te vinte dita e “zbulimit” te sekreteve te tmerrshme ku ata vete ishin “personazhet e viktimizueme”. Sot, ajo qe mbetet per keto viktima, te vdekun apo ne prakun e vdekjes, ashte fitorja e madhe morale – historike!-, sepse ata me gjestin e tyne te perbuzejes se hakmarrjes dhe besimit te tyne ne ligjesi dhane nji shembull te shkelqyeshem te nji shoqenie te qytetnueme, dhe te perqafimit te shtetit ligjor…me gjithe se ne veshet e tyne  tingellojshin akoma thirrjet komuniste “Ne litar! Ne litar!” Ata keputen zinxhirin e hakmarrjes,  e per kete, duhet te jemi mirenjohes perhere.
    Mbas nji konfuzioni njizete e kater vjeçar duket sikur kemi arrijte ne perfundimin se ky problem i “dosjeve” dhe “lustracionit” nuk zgjidhet me  “forcat tona’. Fatmiresisht, pranojme shembullin e nji shtetit europian te qytetnuem, si Gjermania. Projekt-ligje ne kete drejtim jane paraqite para Kuvendit te Republikes se Shqiperise, per diskutim dhe aprovim.
     Por, nuk ashte aq e thjeshte. Imitimi i shembullit gjerman, sado i deshirueshem qe te jete, permban nji “caveat” thelbesor: Shqiperia sot nuk ashte Gjermania!   Çdo ngjarje historike – dhe hapja e dosjeve e lustracioni jane “historike”- ka parametrat e vet: vendin ku ngjet, dhe kohen kur ngjet. Rasti gjerman:
       Me 9 maj 1945, u festue dorezimi pa kushte i Gjermanise naziste. Ushtrite aleate angleze, françese, amerikane dhe sovjetike pushtuen Gjermanine  dhe me “marreveshje” e ndane territorin ne kater “zona pushtimi”. Nga Konferenca e Londres, 1945, u vendos krijimi i nji Gjykate Nderkombetare per Denimin e Krimeve te Luftes dhe te krimineleve kryesore naziste. Qyteti Nuremberg ishte ne “zonen amerikane”.
       Si hap i pare ishte vendosja e rendit dhe qetesise. Gjate periudhes maj-gusht 1945, u arrestuen 52 kriminele kryesore naziste, dhe u burgosen ne Monsdorf (Nuremberg). Ne fund te vitit, arrestimet arrijten numrin 450.
    Sherbimi i pare per te burgosunit ka qene ai fetar, “…ne nji beteje me shpetue shpirtin e atyne qe jetojshin me litar ne gryke.” Pergjigja ishte: “Na duhet te urrejme mekatin, por duhet te duem mekatarin!” Çdo njeri ka mundesi “me u ringjalle”! Ushtria amerikane kishte instruksione me ba te pamunduren me lehtesue vuejtjen, dhe me dhane ngushellim fetar per ata qe do te vdisnin.
       Denimi me gjyq i krimineleve naziste (ne vend te  ekzekutimit ne grup pa gjyq, ashtu si kerkonte Stalini dhe Churchilli) u ba me kerkesen e Presidentit Roosevelt. Arsyet e dhanuna, simbas juristit amerikan Gordon Dean, kane qene: qe te mos harrohen  krimet e vertetueme publikisht, te edukohen brezenite e reja, te dekurajohen kriminelet e mundshem ne te ardhmen, te japim nji gjykim te drejte qe te mos flliqemi me arbitraritetin e diktatures, dhe te japim denime kryesisht per krimet kunder popullsise – e jo per shperdorime, vjedhje e tjera…!
   Ideja “ligjore” e “konspiracionit kriminel nazist” ka qene me provue fajsine e organizatave naziste; ne se keto organizata gjykohen me qene fajtore  per krimet qe akuzohen, dhe faji i “organizates” vertetohet, atehere çdo anetar i ketyne organizatave konsiderohet “fajtor”. Nga Gjyqi i Nurembergut u gjeten fajtore dhe u denuen me vdekje, ekzekutim ne litar: Goering (u vetehelmue) Ribbentrop, Keitel, Kalterbrunner, Frank, Sauckel, Rosenberg, Frick, Streicher, Jodl, Seys-Inquart. Ekzekutimi u ba me 3 tetor 1946 . Para ekzekutimit, shumica kaloi nji periudhe instraspeksioni. Disa u kthyen kah Zoti!
    Deri ne dhetor 1947, ushtria amerikane ne sektorin e saj solli para gjyqit 1,676 kriminele naziste te rangut te dyte. Numri i te  hetuemve ne ish Gjermanine ka qene afer 3 miljone. Vetem Gjykata e kampit Dachau procedoi 1,672 naziste. Nga keta, 1.090 u denuen si fajtore; 426 u denuen me vdekje, shifer qe provon se komandantet dhe rojet e thjeshta te kampeve naziste jane denue  pa meshire. Ne pergjithesi, u zhvilluen 545 procese gjyqesore, me nji personel gjykues prej 22.000 vetesh. Megjithe amnistine e shpallun, 930.000 persona dolen para gjyqeve aleate, 1.549 fajtore te medhaj, 21.000 fajtore te kategorise se dyte, 104.000 fajtore per krime ma te vogla, 475.000 fajtore “perkrahes”, ma shume se 500.000 u denuen me gjobe, 122.000 u pushuen nga puna, 25.000 u shpronesuen, 22.000 u denuen  pa te drejte pune shtetnore, 30.000 u denuen me pune te ndryshme…. Gjykatat vune ne dukje se faji per krimet ashte “personal”…! Keshtu u thye definitivisht kurrizi i nazismit ne Gjermani.  Ne vitin 1991, kjo nuk ngjau ne Shqiperi!
     Prokurori britanik Sir Hartley Showcross shkruente:” Besnikeria politike dhe bindja ushtarake jane dy cilesi te shkelqyeshme; por, as njena, as tjetra nuk justifikojne zbatimin e tyne ne  akte qellim-keqia. Ekziston nji kufi ku njeriu duhet te refuzoje bindjen ndaj udheheqsit, ne qofte se mendon me i pergjegj ndergjegjes”.   “Urdhenat nga eproret, qofte edhe per ushtarin e thjeshte, nuk mund te merren parasyshe si faktor lehtesues ne rastin e krimeve tronditese dhe  monstruoze qe jane krye.”(Nga Gjyqi i Nuremberg-ut)  Gjuha e ligjit ashte e qarte!
      Me okupimin e Gjermanise.  Aleatet fitimtare moren persiper mbrojtjen e jetes dhe fatin e popullsise gjermane. Ne zonen amerikane filloi menjihere procesi i denazifikimit.  Aleatet arriten ne perfundimin se gjermanet vete nuk do te ishin ne gjendje me plotesue denazifikimin e vendit te tyne. Nazismi kishte rranje te thella ne psikologjine e popullsise.
        Policia naziste u shpernda. Vetem ne qytetitn e Nurembergut u mobilizuen 500 persona “te paster”. Burgjet u reparuen. Bankat u hapen. U krijue agjensia e transporteve urbane, dhe 38 shoqeni sigurimesh. Qindra kuaj te ish ushtrise gjermane u falen fermiereve ne rrethe. U formuen kater parti politike. Filloi  botimi i gazetave, u hap zyra e taksave e filloi vjelja e tyne. 70 perqind e banesave te shkaterrueme filluen reparimin. Ish-mesuesit naziste u pushuen nga puna te gjithe. Tekstet shkollore u demokratizuen. Mesues te ri u pergatiten intensivisht, e mbas gjashte muej pune, ne nandor 1945, 25.000 nxanes filluen mesimet ne shkolla te qytetit. “Sherbimet kritike” si gazi per ngrohje, drute e qymyri per dimen, dhe ushqimi per popullsi mori randesi prioritare. Vetem gjashte muej mbas mbarimit te luftes qyteti i Nurembergut filloi jeten e re me elektricitet, uje, e kanalizime. Mijera telefone, zyrtare e private, u instaluen. Klinikat shendetsore u hapen. U ba imunizimi i femijve e qyteti u pajis me ma shume shtreten se kishte ne vitin 1939. U hapen dy kinema dhe ne sallat e teatrit filluen çfaqjet. Administrata ushtarake amerikane tregoi me sukses per popullin gjerman rrugen e rimekambjes.
       Rasti i dyte: me 3 tetor 1990, u ba bashkimi formal i dy Gjermanive. Lufta e Ftohet mori fund ne Europe. Filloi periudha e re e paqes, e perparimit, e zhvillimit ekonomik. Filloi edhe procesi i ramjes se shteteve satelite ish komuniste, dhe i Shqiperise. Procesi i dekomunizimit ne ish Gjermanine lindore filloi, vazhdoi dhe perfundoi me sukses per hir te ndihmes se madhe qe dha Gjermania Federale (afersisht 100 miljarde  dollare ne vit), dhe te eksperiences se vitit 1945. Hapja e dosjeve dhe procesi i lustracionit u ba ne menyre te rregullt, i organizuem dhe i mbikeqyrun nga organet e Qeverise Federale Gjermane, nji shtet  i pasun, dhe me aftesi te dores se pare.

 
14
Jan
2015
NË PARIS VRITET LIRIA E SHTYPIT PDF Shtyp Shpërndaje me e-post
Shkruar nga Administrator   
AddThis Social Bookmark Button

Nga Frank Shkreli

 

Të mërkurën në Paris të Francës, terroristë të maskuar sulmuan kryeqëndrën e revistës satirike Charlie Hebdo  duke vrarë 12 veta të pafajshëm, 10 gazetarë dhe dy policë dhe kanë plagosur disa të tjerë.  Ndër gazetarët e vrarë përfshishej redaktori Stephane Charbonnier dhe satiristët e njohur Georges Wolinski, jean Cabut dhe Bernard Verlhac.

 Sido që ta shikosh, ky ishte një akt barbar që shkaktoi një tragjedi njerzore, por në thelb ishte një akt terrorist i shëmtuar kundër lirisë dhe demokracisë.  Sulmi në Paris kundër gazetës satirike dhe gazetarve të saj ishte mbi të gjitha, sipas gazetës The Financial Times, "Një akt i bërë me qëllim për të frikësuar shtypin, ishte një sulm kundër lirisë së fjalës, që është shtylla e çdo shoqërie demokratike."

 Sulmi barbar  kundër gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris shokoi botën dhe reagimet ndërkombëtare ishin të shpejta dhe të vendosura nga presidentë e kryeministra, nga organizata private dhe ndërkombëtare, mbështetse të fjalës së lirë dhe të lirisë së shytpit.  Presidenti Francez, Francois Hollande e cilësoi sulmin si një akt barbarizmi të veçant kundër medias dhe shtoi se, "Asnjë sulm barbar nuk do të vrasë kurrë lirinë e shtypit".  Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i organizatës franceze, "Reporters Sans Frontières" (Korrespondentët pa Kufij"), e cila merret me promovimin dhe mbështjetjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit kudo në botë, Z. Christophe Deloire, i shokuar nga sulmi në Paris, u shpreh se "Sulmet me armë kundër zyrave të gazetave ndodhin në Irak, në Somali dhe në Pakistan".  A mund ta kishim parashikuar një sulm të tillë kaq të tmershëm në Paris, bëri pyetje ai.  Drejtori i Organizatës "Reporters Sans Frontières", që me vite ka mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, u shpreh se sulmi ishte një "Ëndërrë e tmershme që u bë realitet. Ky sulm terrorist", shtoi ai, "shënon një ditë të zezë në historinë e Francës."   Christophe Deloire deklaroi gjithashtu se, "Nuk mund të ketë një sulm më të tmershëm kundër lirisë së medias dhe lirive në përgjithësi, se sa sulmi me armë  kundër një enti gazetaresk, duke vrarë gazetarët.  Ne do të vazhdojmë të luftojmë për liri dhe tolerance, përball këtij barbarizmi. Do ta bëjmë këtë në kujtim të gazetarëve që u vranë në Paris si dhe për të gjithë ata që kanë dhënë jetën në mbrojtje të vlerave themelore të lirisë së fjalës dhe të informacionit", përfundoi deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, "Reporters Sans Frontières".  

 Reagimet ishin të shpejta edhe nga udhëheqsit më të lartë botërorë të cilët u shprehën të shokuar nga sulmi në Paris. Ata ofruan ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave dhe mbarë popullit francez dhe njëkohësisht dënuan ashpër sulmin e të mërkurës, në zemër të Europës.  Ndër të parët që reagoi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili dënoi ashpër vrasjet barbare të gazetarve francezë dhe i ofroi qeverisë franceze të gjitha ndihmat e nevojshme të vendit të tij, në këtë moment të vështir për Francën, duke thënë se “Franca është ndër aleatët më të vjetër të Amerikës dhe se ajo ka qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrroristëve, të cilët kërcënojnë sigurimin tonë dhe botën.”   Pas një takimi me Zëvëndës Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry për të biseduar mbi situatën e krijuar në Francë, Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu aktin barbar në Paris si një sulm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi.  “Fakti se ky sulm u bë kundër gazetarve, kundër lirisë tonë të medias, nënvijon gjithashtu frikën që këta terroristë kanë  nga liria e fjalës dhe nga liria e shtypit”.   Në deklaratën e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shtoi se, “Por, gjëja për të cilën jam tepër i sigurt, është fakti se unë jam i bindur se vlerat të cilat ne i ndajmë me popullin francez, besimin – një besim universal në lirinë e fjalës – është diçka që nuk mund të shuhet nga dhuna e pakuptimtë që ushtrojnë disa.”

 Reagimi ndaj barbarizmit kundër gazetarve francezë në Paris ishte i shpejt edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, i cili duke shprehur indinjatën e tij të thellë, dënoi sulmin duke thënë se, “Ky akt i tmershëm barbar ka për qëllim të ndajë e të pëçajë dhe si rrejdhim ne nuk guxojmë të biem në atë kurthë.  Ky është një moment për të treguar solidaritet në mbarë botën, duke qëndruar të fortë në mbështetje të lirisë së fjalës dhe tolerancës dhe kundër forcave përçarëse dhe atyre të urrejtjes”, u shpreh Ban ki Moon.    Ndërsa Papa Françesku e dënoi ashpër atë atë që ndodhi në Francë duke e cilësuar si një “sulm i tmershëm”, i cili tmeroi jo vetëm Parisin dhe Francën por shqetësoi dhe habiti të gjithë njerzit vullnet mirë dhe të gjithë ata që dëshirojnë paqën. Udhëheqsi i Kishës Katolike u bëri thirrje të gjithëve, “Që të kundërshtojnë me çdo mjet që kanë në dispozicion përhapjen e urrejtjes si dhe të gjithë format e ushtrimit të dhunës fizike dhe morale, të cilat shkatërrojnë jetën njerëzore dhe shkelin dinjitetin e njerëzve, dhe që nga ana tjetër, minojnë në mënyrën më radikale të mirën themelore të bashkjetesës midis individëve dhe njerëzve pa  marrë parasyshë dallimet kombëtare, fetare ose kulturore.”  Cilado qoftë arsyeja për atë sulm, dhuna që përfundon në humbje jete njerzish duhet të dënohet dhe nuk mund të justifikohet kurrë, është shprehur Papa Françesku.  Ndërsa Organizata për Sigurim dhe Bashkunim në Europë në një komunikatë që lëshoi me këtë rast thotë se, “Në një shoqëri demokratike është e nevojshme të pranojmë që të shokohemi, të zemërohemi, madje edhe të ofendohemi.  Por përdorimi i dhunës, kundër atyre që kanë një mendim ndryshe, është i papranueshëm”, dhe u bën thirrje qeverive të ndryshme që të “marrin të gjitha masat që është e mundur për të luftuar presionet, frikësimet dhe dhunën, përdorimi i të cilave ka për qëllim ndalimin shfaqjes dhe të përhapjes së opinioneve dhe ideve të ndryshme.”

 Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë në lidhje me sulmin në Paris tha se Franca, si asnjë vend tjetër e di se liria ka një çmim, sepse ishte ajo vet që e lindi demokracinë.  Franca, shtoi ai, ishte nxiti aq shumë revolucione të shpirtit njerëzor, të lindura nga liria dhe nga fjala e lirë dhe kjo është ekzaktërisht ajo nga e cila kanë frikë ekstremistët, nënvijoi kryediplomati amerikan.   John Kerry u bëri thirrje francezëve që të mos demoralizohen nga këto kërcënime duke thënë se, “Liria e fjalës dhe liria e shtypit janë vlerat themelore. Ato janë vlera universale.  Janë parime që mund të sulmohen por kurrë nuk mund të zhduken, sepse njerëz të ndershëm dhe të guximshëm anë e mbanë botës, nuk do të dorëzohen kurrë para frikësimeve dhe terrorit të atyre që përdorin mënyra të tilla me qëllim për të zhdukur ato vlera universale.”

 President Barack Obama në takim me Zëvëndës Presidentin Biden dhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit  John Kerry në Shtëpinë e Bardhë  pas sulmit terrorist në Paris, Jan. 7, 2015. (Official White House Photo by Amanda Lucidon). 

Mbarë bota po e konsideron sulmin në zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo Paris që mori jetën e 12 vetave të pafajshëm, pikëspari si një humbje dhe tragjedi njerëzore, por edhe si një sulm të përgjakshëm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe jo vetëm në Francë.  Sulmi që shkaktoi vrasjen e 12 vetave të pafajshëm, po shikohet dhe komentohet njëkohsisht edhe si një përpjekje për t’i mbyllur gojën jo vetëm medias së lirë franceze dhe asaj europiane, por edhe më gjërë.  Media të ndryshme dhe përfaqsues të medias së lirë dhe të pavarur  në Francë dhe anë e mbanë botës, thonë se janë të vendosur që të mos frikësohen dhe të mos adaptojnë vet-censurimin, si rrjedhim i masakrës së gazetarve në Paris.  Për ndryshe, siç thotë edhe gazeta e famshme Financial Times në një koment të saj në lidhje me masakrën e Parisit, shtypi i lirë nuk ka kurrfarë vlere, nëqoftse praktikuesit e shtypit, dmth gazetarët, nuk e ndjejnë veten të lirë të flasin dhe të shkruajnë lirisht.

Frank Shkreli

  

 

 

 
 
 
 
 
 

 
06
Jan
2015
Për Vitin e Ri 2015- Paqë në botë; paqë në zemrat tona! PDF Shtyp Shpërndaje me e-post
Shkruar nga Administrator   
AddThis Social Bookmark Button

Sami Repishti

Ridgefield,CT. USA,- Nga Amerika e larget, urimet ma te mira per te gjithe, vellazen e motra, me rastin e Vitit te Ri 2015. Paqe ne bote, paqe ne zemrat tona, e vullnet te mire per mbar njerezimin.
Ne boten ku jetojme per fat te keq paqa dhe vullneti i mire per mbar njerezimin nuk kane perparue gjate vitit te kaluem. Konfliktet jane ashpersue kudo qe jane, dhe ne shume vende tjera ata jane krijue nga forca te erresines. Bota e jone ashte perseri e ndame ne dy kampe qe na kujtojne kampet ne “luften e ftohet”, rrezik serioz per paqen qe na kerkojme.

Fondamentalizmi fetar–qe sot deshmohet kryesisht ne boten arabe me shumice myslimane- abuzon parimet dhe qellimit e fese islame, e cila mbeshtetet ne parimin moral te “paqes se mbrendshme” me veteveten per çdo individ, dhe ate te jashteme si pjesetar te nji shoqenie te gjane, te krijueme per arritjen e vellaznimit universal. Shprehja “umma” ne arabisht per bashkesi islame perfshine te gjithe pjesetaret kudo qe jetojne, pa dallim.

Sot, ne boten tone te frikeshme, besimtare myslimane jane angazhue ne nji lufte per jete o per vdekje ne mes tyne, nji masaker e pabesueshme, e te gjithe ne emen te “islamizmit”. Kjo vetevrasje kolektive qe ka mbrapaskena politike ka krijue nji atmosfere anmiqsore ndaj “islamizmit” ne bote, megjithese as parimet as praktika e paleve luftuese nuk kane gja te perbashket me “islamizmin” qe ata pretendojne me mbrojte-ose me “perteri”- tue reklamue “pastertine e shekullit 7” nji aluzion i viteve te Profetit Muhamed. Asgja nuk ashte ma larg nga e verteta se aktet kriminale te fondamentalisteve te çmendun te cilet gjithçka mund te jene, por jo ndjekes te besimit islam.

Ajo qe ngjet sot ne Lindjen e Aferme sidomos ashte nji reagim i vonuem i viteve te gjata te kolonializmit europian qe shtypi boten arabe; nji reagim kunder “modernizmit” qe nuk pranohet nga shoqenite gjysem te zhvillueme te vendeve islamike; dhe nji tronditje qe para-lajmeron ndryshime rranjesore ne jeten dhe mendimin e popullsive te atyne vendeve – nji lloj “levizje protestante” e cila nuk ka gjete akoma Martin Luther-in e vet per percaktim dhe kodifikim, por nji levizje megjithate qe nuk do te ndalet deri sa te gjej pergjegjen e vet te plote. Historikisht, ky ashte nji process i gjate dhe i pandaleshem! Le te mos harrojme luften 30-jeçare ne Europe!

***
Atmosfera “anmiqsore” mbijeton sot edhe ne kontinentin tone europian. Me gjithe perparimet e medha historike qe u arriten me formimin e NATO-s dhe krijimin e institucioneve europiane – me sukses te padiskutueshem sidomos ne ekonomi dhe mbrojtje te drejtave te njeriut – kohet e fundit kjo fryme ashte çfaqe ne formen e saj negative me fenomenin e “emigracionit”, dhe pranimin e “te huejve fatzez” nga popullsite vendese. Shembullin ma te ri e kemi pa me organizime kunder “gastarbeiter-ve” ne Gjermani, qe detyruen Kancelaren A. Merkel me fole fuqimisht, dhe ne nderin e Gjermanise, ne favor te pranimit e te perkrahjes se punetoreve te huej, emigrante. Ne Suedine demokratike digjet nji xhami nga urrejtja fetare.

Ne Greqi, kemi shembullin e shqiptareve te emigruem dhe trajtimin e tyne si “elemente te padeshirueshem”, qe detyrohen me ndryshue fene, me mohue gjuhen, me marre emna greke dhe me pranue Greqine si vendi i tyne, me kercenimin e debimit. Akoma te fresketa jane kujtimet tona te operacioneve “fshesa” kur dhjeta mijera emigrante nevojtare shqiptare deboheshin brutalisht nga vendet e punes ne Greqi, e hidheshin pa ceremoni ne territorin shqiptar, ku mungonte puna, dhe ku shteti nuk kishte mundesi me ushqye qytetaret e vet. Akoma sot, afer 600.000 emigrante shqiptare ne Greqi trajtohen si “te rrezikshem’ , nuk kane shkolla shqipe, dhe ata shume te paketa mbahen gjalle me ndihma vullnetare nga nji grup misionaresh shqiptare qe meritojne admirimin tone.

Vete Greqia sot po kalon vitet e veshtira te nji kaosi politik dhe nji kolapsi ekonomik. Organizata te “se djathtes” si “Agimi i Arte” kerkojne haptazi kthimin e diktatures se djathte me thekse admirimi per nazismin barbar. Nga “e majta”, partia Syriza reklamon haptazi nji Greqi komuniste me kerkese per dalje nga Bashkimi Europian.

Ne Spanje, Levizja Populiste Podemos ka qartazi tendenca autoritare, (ne se jo diktatoriale) qe tregojne shgenjim dhe lodhje nga demokracia liberale. Ne France, grumullimi post-fashist Le Front National ashte kunder te gjitheve, sidomos kunder emigracionit afrikan, me theks mbi popullsine myslimane. Prania, perhere ne rritje, e popullsise myslimane ne France, ashte kthye ne nji futboll politik qe sulmohet, ose perdoret si “monedhe shkembimi” nga partite politike te vendit per qellimet e tyne te dites. Ne Britanine e Madhe, The Independence Party, ngulmon ne daljen jashte Europes dhe mbylljen e portave per emigrante, sidomos nga ai i vendeve myslimane. Qindra, ndoshta mijera emigrante, refugjate pa fajin e tyne. mbyten ne ujenat e Mesdheut pa terheqe vemendjen e publikut europian “te qytetnuem”. Ne shqiptareve na kujton “tragjedite e Otranto-s” vetem pake vite ma pare. Ne Hungari, kryeministri Urban flirton me idene e nji rregjimi fashist, qendrim qe ka tradita te forta ne ate vend. Ne Itali, policia shperndane vazhdimisht demonstratat e neo-fashisteve nostalgjike qe helmojne atmosferen politike te vendit. Ne Serbi, fryma e Millosheviqit predominon.

Presidenti Xi i Kines ban thirrje “….te jemi gati per fitore ne rast lufte” thirrje qe shqeteson shume shtetet e vogla per rreth dhe helmon atmosferen e rajonit. Ne Rusine e Putin-it, po krijohet nji atmosfere qe njohim te gjithe, e qe sjelle vetem lufte e shkaterrime: shovinizmi rusomadh! Okupacioni brutal ushtarak i Krimese, dhe nderhymja edhe ma brutale ne Ukrainen lindore jane hapat e pare qe synojne ri-krijimin e imperatorise sovjetike, nji burg popujsh jo-rus te nenshtruem me force. Per ironi te fatit, sot kujtojme thanjen e Karl Marx-it ne vitet e Luftes se Krimese (1856):
“Politika ruse nuk ndryshon. Metodat, taktikat, manovrimi mund te ndryshojne, por ylli polar i politikes ruse – sundim botenor- ashte yll i fiksuem. Ka vetem nii rruge qe duhet ndjeke ne marredhanjet me Rusine, dhe kjo ashte rruga qe nuk njeh friken”(korrepondenti londinez i gazetes The N.Y Daily Mail. Emni i tij: Karl Marx. Simbas The New York Times, 10 Maj 1973).

Nji ringjallje e kesaj utopie te rrezikeshme parashikon edhe mobilizimin e vendeve sllave, satelite te perjeteshme te yllit moskovit. Ketu qendron edhe shqetesimi i shqiptareve, me qe Serbia dhe Mali I Zi e shohin veten si pjese te kesaj perandorie (“kelyshet e moskovit” A.Gj.Fishta). Dhe te dy shtetet jane afer, shume afer Kosoves dhe Shqiperise.
Zhvillime aspak inkurajuese!

***
Atmosfera “anmiqsore” mbijeton sot edhe ne vendin tone. Ajo ka karakter politik dhe social. Per fatin tone, ajo nuk ka ngjyra fetare ose krahinore. Keto shenja tregojne nji “anmiqsi” sociale e perfaqesueme nga pakenaqsia e madhe e pa barazia ekonomike. Vorfenia dhe ata qe jetojne nen mesataren e nevojshme per nji jete me dinjitet, e qe jane shumica, rritet; ndersa klasa e privilegjueme, qe jane pakica, pasunohet çdo dite e ma shume. Hendeku qe hape kjo dikotomi e padeshirueshme perban nji rrezik social, ne se jo iminent, padyshim te paevitueshem. Ashte çeshtje kohe, dhe intensiteti.
Kjo nuk don te thote se nji rrezik social i ketill duhet te inkurajohet per arsye partizanie politike. Thirrjet “na udheheqni te vime atje (Tirane) me protesta dhe te heqim kreun (Qeverine) nga qyteti” jane thirrje te hapta per aksione violente, jane te paligjeshme, dhe sjellin vetem dam. “Me nji fryme revolte çdo dite me sfiden e sigurimit te bukes se perditeshme…” tingellon jo bindese kur deklarohet nga ish-qeveritare qe kane drejtue vendin per tete vjet me rradhe. Situata ekonomike e nji populli nuk permiresohet mbrenda nji viti, aq ma pak nga nji administrate pa eksperience.

Atmosfera publike e sotme ne Shqiperi nuk lejon nji qasje ma te arsyeshme per bashkimin e dy poleve politike kundershtare. E inkurajueme nga nji fitore elektorale qe tejkaloi edhe parashikimet ma optimiste, administrata socialiste ka tregue nji prirje te forte drejt monopolizimit te pushtetit me uzurpimin e pushteteve qe zakonisht jane jashte autoritetit te saj. Me nji shumice absolute ne Kuvend, kalohet nji legjislacion pa ose me pak diskutime, dhe ne mungesen e nji opozite qe bojkotoi per muej me rradhe. Ekzekutivi ashte mbushe me elemente partiake, verbenisht te nenshtruem ndaj kupoles se drejtueme me “dore te forte”, dhe qe ka marre mbi vete prerogativa qe i gezonte Kryetari i Shtetit, jo vetem ne sektorin civil por edhe ushtarak. Tashti, bahen perpjekje me sigurue nji maxhorance ne gjykatat e vendit, sidomos ne ata te nivelit republikan. Ndamja klasike, dhe e domosdoshme, e tre pushteteve ashte venite deri ne nji pike sa krijohet pershtypja se Shqiperia po rreshqet ne nji shtet monist. Kjo eufori monopolistike ka ndertue bazat per nji “arrogance te pushtetit”, qe nuk mund te jetoje gjate.

“Ndamja” e thelle pushtet/opozite ka krijue boshlleqe qe forca te treta, megjithese minimale, perpiqen me mbushe, dhe me sigurue nji rol sado te kufizuem ne kuadrin e jetes politike te vendit. Nji rast i veçante i ketij fenomeni ashte çfaqja ne publik e grupeve te nostalgjise diktatoriale me simbolin e tyne: imazhin e krykriminelit E.H., satrapit aziatik qe vendosi rregjimin e terrorit, frikes se pergjitheshme dhe urise.
Manifestimet e turpeshme –dhe te rrezikeshme- te ish komunisteve nostalgjike, tashti te moshuem –ne pritje te gjykimit nga nji Zot qe ata luftuen me ashpersi primitive- jane revoltuese aq sa edhe qesharake. Ne mesin e tyne, per fat te mire, nuk ka te rije e te reja, nji prove elokuente se apeli i tyne nuk gjen mirepritje ne breznine e rritun mbas ramjes se turpeshme te “diktatures se proletariatit” ne Shqiperi Kjo tregon se “nostalgjiket” jane ne grahmet e fundit te jetes dhe vepres se tyne, ne fund te nji udhetimi sa kriminel, aq edhe famekeq!

***
Keto fenomene negative ngrejne koken sepse Shqiperia akoma sot nuk ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndergjegje te randueme. Kjo gjendje fluide me frikeson! Ne qofte se sot refuzojme me perballue demonet e se kaluemes, breznia e re do te pesoje rrjedhimet e pa evitueshme. Ata qe harrojne mekatin e tyne, e perserisin pa pushim.

Sot, shumica e qytetareve shqiptare perpiqen me dale nga rrethi vicioz qe i mundon vetem me hedonizem, me shijimin e te mirave materiale, pa kujdes per vlerat morale dhe shpirtenore. Dhe kjo, jo vetem ne Shqiperi. Disa gjejne rrugedaljen e tyne ne terrorizem, nji rruge pa dalje sepse nuk respekton shenjtenine e jetes njerezore, pa perjashtim. Perpjekjet e vazhdueshme e pikepamjet e paragjykimet e ofrueme nga forcat e medha te shoqenise konsumeriste jane mjaft efektive per rritjen e konformizmit, ndersa prirja me qene ”i veçante”, i hapun per mendime jo-konvencionale, jo populiste, disident, shikohet si “herezi”…ose “don-kishotizem”. Megjithese, pikerisht aty ashte tharmi i nji jete te mirefillte, dhe i perparimit te mirefillte te shoqenise; pikerisht aty ashte nundesia e nji kuptimi ma te mire te botes ku jetojme, e gjetja e nji alternative anti-konformiste, te pranueshme, autentike, dhe gjithehere fisnike…!

Shqiperia ende sot jeton ne pellgun e padrejtesise se institucionalizueme. Edhe sot. ajo nuk gjen zanin e saj autentik, zanin e ndergjegjes njerezore. Ne Shqiperi nuk ashte ba “pastrimi shpirtnor”, rrefimi i ndergjegjshem e denoncimi i krimineleve ordinere komuniste. Si rrjedhim, kemi sot manifestime publike neo-komuniste. Ne Shqiperi nuk u hodhen bazat e nji shoqenie civile te qytenueme ku heshtja para krimit e shetitja e kriminelit ne rruget e katundeve dhe sheshet e qyteteve nuk lejohet, as nga qytetaret as nga pushtetaret te detyruem me ligje me mbrojte kete shoqeni. Akoma ma keq: keto akte banditeske te neo-komunisteve sponsorizohen nga “majat e pushtetit” dhe shpenzimet paguhen me fondet e shtetit. E çuditeshme deri ne çmenduri!

Shqiperia sot, jeton ende ne nji vakuum moral qe duhet mbushe sa ma pare. Nji pastrim ligjor i paligjeshmenise ashte i domosdoshem. Ky vakuum ashte vecanerisht i dukshem ne arsim, ne tekstet shkollore per breznite e ardhme. Botekuptimi komunist ne vendin tone, fryma, mentaliteti, metodat, shprehjet e tia helmuese nuk jane çrranjose dhe vazhdojne me derdhe helm ne shoqenine tone.
Ne kete gjendje, nuk mund te shpresohet per nji zgjidhje qe lehteson plaget akoma te hapuna. Sot, femijte e viktimave te diktatures se kuqe mbeten vazhdimisht te pangushelluem, nuk gjejne qetesi, e jetojne perhere me friken e pertrimjes se terrorit e krimit ne kurrizin e tyne. Manifestime neo-komuniste rrisin kete frike, dhe forcojne ankthin e nji te neserme kercenuese. Manifestuesit neo-komuniste vrasin shpresen e te ardhmes ma te mire, e te jetes ma te qete, per te gjithe,,,! Pjesemarrja, direkt ose indirekt e “pushtetareve” ne manifestim ku lejohet adhurimi i satrapit aziatik ashte nji akt qe duhet denue rande!

Sot, ne Shqiperi, jane te gjalla kujtimet e burgjeve dhe kampeve te punes se detyrueshme, si te burgosun ose si te debuem, mbushe me burra e gra, pleq e te rij, kuadri monstruoz i te cileve helmon mendjen e ndergjegjen e çdo qytetari te ndershem me nji zemer te paster. Ne ato kampe debimi e burgje u dergjen e vdiqen te rijte idealiste, legjonet e studenteve te gjimnazeve te te gjithe qyteteve te Shqiperise, qe pa pretendime treguen vendosmenine e tyne me kundershtue murtajen e kuqe e vdekje-prurese. Sot, kane mbete vetem kujtimet e te gjithe intelektualeve guximtare te edukuem ne universitetet europiane, te gjithe kleriket e mire-informuem sidomos katolike, te gjithe ata qe refuzuen te “vallezojne” bashke me Neronin kur Shqiperia digjej flake; te gjithe qytetaret e katundaret, punetoret e bujqet te shgenjyem nga premtimet e te vorfnuem, malesoret kryenalte e te dermuem ne torture, pleqet pa shprese mbijetese ne burgje, te smuret qe vdiqen çdo dite pa asnji mjekim…. kujtimet e nji mase te gjane te burgosunish pa asnji arsye, turmat e pafajshme, te mbyllun mbrenda me plotesue “fuqine punetore” te planeve te çmenduna pesevjecare….

Sot jetohet me shpresen se e kaluemja e ferrit mbi token shqiptare nuk do te perseritet, kurr ma…kurre ma; se nuk do te arrestohen, torturohen, denohen e pushkatohen te pafajeshmit…kurre ma nuk do thyhen kockat e gjunjeve me çekan, nuk do te kalohen netet e gjata te dimnit te varun ne litar te ashper ne deget e pemeve ne oborre te e Sigurimit ose hekurat e qelive te burgut, ne shi e ne bore, me nji trup te çveshun lakuriq e te dermuem nga kerbaçi i “hetuesit”, gjysem te ngordhun nga denimi pa buke, pa uje, dite e nete me rradhe….ashtu si shoket e mi, ashtu si une! Kurre ma, kurre ma!
Para çfaqjeve te ketilla, poetesha Nelly Sachs, qe mbijetoi holokaustin shkruen: “Na lini, ne embelsi, jeten te rimesojme… /Mos na tregoni qen qe kafshojne…”
Do te ishte nji gabim fatal me harrue keto fakte kokeforta, e ne planifikimin e se nesermes mos me llogarite mundesine e daljes perseri ne skene te monstrit te kuq. Por do te ishte gjithashtu njilloj gabim ne se refuzojme “…te jemi te afte te nxjerrim nga vuajtja, virtyte, e te krijojme ‘kulturen e vuajtjes’ qe popujt e zhvilluem e kane” (Visar Zhiti)

Me urime ma te mira per nji Shqiperi me popull te zhvilluem, me paqe ne zemrat tona, me dashuni e meshire per fatkeqte, e shprese per dite ma te mira per te gjithe njerezimin!

Gezuar Vitin e Ri 2015!